
Liderët evropianë janë duke bërë përpjekje të marrin kontrollin e negociatave për paqe në mes të Ukrainës dhe Rusisë, dhe të garantojnë siguri në gjithë kontinentin, pas takimit të vështirë që është zhvilluar mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Ndërkohë, Trumpi ka sugjeruar se durimit të tij ndaj Zelenskyt është duke i ardhur fundi, teksa e ka kritikuar rezistencën e presidentit ukrainas ndaj idesë për armëpushim të shpejtë në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, pa pasur garanci konkrete të sigurisë, siç ka kërkuar ai nga SHBA-ja.
“Kjo është deklarata më e keqe që do të mund të bëhej nga Zelensky, dhe Amerika nuk do të durojë gjatë”, ka shkruar Trump në platformën e tij Truth Social, duke vendosur aty edhe një link që të çon te një artikull i të përditshmes amerikane, Associated Press në të cilin citohet Zelensky duke thënë se përfundimi i luftës në vendin e tij është “shumë, shumë larg”.