Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Veç policëve e ushtarëve, edhe zjarrfikësit po ankohen se nuk i morën shtesat

Gazeta10
29 March 2025 - 12:33

Mbrëmë u raportua se pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, sikurse edhe zyrtarëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës, nuk u janë paguar orët shtesë.

Pjesëtarëve të këtyre kategorive, në llogari u kanë dalë vetëm pagat bazë.

Ky informacion më vonë u konfirmua edhe zyrtarisht, fillimisht nga Sindikata e Policisë së Kosovës, e më pas edhe nga Ministria e Financave.

 

Kryetari i  Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka, ka konfirmuar se shtesat për muajin mars nuk u kanë dalë një pjese të madhe të zjarrfikësve në të gjithë vendin.

“Shumica dërrmuese e zjarrfikësve në komuna të vendit nuk janë të paguar për shtesat e tyre. Ka disa komuna që ua paguajnë shtesat. Por ka edhe disa komuna që nuk ua paguajnë shtesat”, ka thënë Beka.

Sipas tij, ka zjarrfikës nëpër disa komuna të cilëve nuk u janë paguar shtesat madje as për vitin 2023 e as për 2024.

Mbrëmë, Ministria e Financave reagoi për mos-ekzekutimin e shtesave për disa kategori.

Sipas MF-së, përgjegjësia mbi përgatitjen e listave të pagave, e njëkohësisht edhe sigurimin se shuma e urdhëruar për pagesë është brenda kufijve buxhetorë të miratuar në ligjin për ndarje buxhetore, i takon secilës organizatë buxhetore përkatëse.

“U takon organizatave buxhetore përkatëse që të planifikojnë buxhetin vjetor nëpër muaj, dhe të sigurohen se kanë buxhetin e mjaftueshëm kur miratojnë shtesa tjera mbi pagën bazë. Çdo tejkalim i ndarjes buxhetore proporcionale mujore, mund të rezultojë në situata ku bëhet i pamundur ekzekutimi i plotë”, thuhet në reagim.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.