Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Zbulesa të tjera të agjenturës sekrete shqiptare për Ibrahim Rugovën: I guximshëm dhe patriot

Gazeta10
09 October 2022 - 13:46

Agjentët e atëhershëm të Sigurimit të Shtetit Shqiptar synonin të mësonin më shumë për orientimet politike, qasjen shkencore dhe krijimtarinë të intelektualëve shqiptarë nga Kosova. Në mesin e personaliteteve që për vite kishin mbledhur informacione ishte edhe Ibrahim Rugova.

Historiani shqiptar, Kastriot Dervishi, ka shpërndarë në Facebook, fashikullin për Rugovën në vitet 1968-1988, ku shihet se si është dokumentuar lëvizja e tij në kohën e komunizmit shqiptar, raporton Gazeta10.

“Sipas rregullores nr.2268, datë 19.11.1968 të Drejtorisë së Tretë, fashikulli personal çelej për të arratisurit, emigrantët ekonomikë pro dhe kundër regjimit, për qytetarët e huaj pro ose kundër regjimit që vizitonin Shqipërinë. Në grupin e këtyre të fundit, u çel edhe fashikulli për Ibrahim Rugovën.”, thuhet në Facebook.

Sipas fashikullit, informata të dokumentuara për Rugovën gjatë vizitave të tij në Shqipëri datojnë nga fundi i shtatorit të vitit 1968, ku është përshkruar si një person me arsim të mesme dhe me qëndrim të mirë.

“Informacioni i parë biografik për të është i datës 27.9.1968 dhënë nga biseda e datës 8.9.1968 me emigrantin nga Kosova Idriz Sadri Zeqiraj. Më 24.2.1969 plotësohet kartela “Model 2”. Si arsye e regjistrimit shkruhet: “Mban qëndrim të mirë, flet për gjuhën shqipe”. Thuhej se ishte me arsim të mesëm.”, thuhet në raport.

Në fashikullin e publikuar, në vizitën e 27 marsit të vitit 1980 në Berat, Rugovës i janë drejtuar me “Kosovari Ibrahim Rugova”, ndërsa vizita afër një viti më vonë, sipas raportit, Rugova kishte thënë se është i bindur se në Shqipëri nuk ka liri krijuese.

“Më 10.3.1981 përcillej nga punëtori operativ Idajet Gurra informacioni se pasi ishte kthyer në Prishtinë, I.Rugova ishte shprehur keq duke thënë: “Tani u binda përfundimisht se në Shqipëri nuk ka liri krijuese. Shkrimtarët janë shndërruar në burokratë. Krijuesve u jepen klishetë ku ata punojnë”, thuhet në fashikull.

Dosja e Ibrahim Rugovës ofron të dhëna interesante dhe mbi të gjitha shpalos dimensionin e interesimit të shtetit shqiptar për profilin e intelektualëve shqiptarë nga Kosova./Gazeta10.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.