
Deputetja kosovare nga radhët e Partisë Demokratike, Blerta Deliu, ka thënë se kryeministri Kurti, po vuan nga halucinacionet. Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Deliu i ka shprehur hapur kritikat e veta kundrejt numrit një të qeverisë, Albin Kurtit, raporton Gazeta10.
Kurti tha të shtunën se qeveria e tij ka mundësuar hapjen e 40 mijë vendeve të punës, derisa investime e huaja direkte kanë kapur shifrën e mbi 400 milionë eurove. Por, njëjtë nuk mendon Deliu, e cila ka shtuar se qytetarët e Kosovës po shohin vetëm varfërim, ndërsa ka thënë se pritet një periudhë e vështirë për shkak të inflacionit të lartë dhe reduktimeve të paralajmëruara energjetike.
“Kryeministri, si duket ka filluar të vuajë nga halucinacionet, sepse po sheh çka nuk po sheh asnjë qytetar…Qytetari i Kosovës po sheh vetëm varfërim të shportës, papërballueshmëri të kapërcimit të muajit për shkak të inflacionit të lartë dhe shpejt do të shohë më shumë terr, sesa dritë nga reduktimet e paralajmëruara. Përsëritja 100 herë e gënjeshtrës s’e mbush shportën, as s’i ndez dritat”, ka përfunduar Deliu./Gazeta10.