
Meriton Korenica e ka fituar Kupën e Rumanisë me skuadrën e Cluj.
Në ndeshjen finale, Cluj shënoi fitore ndaj Hermannstadt, me rezultat 3-2.
Korenica dhuroi asistim tek goli i parë i realizuar nga skuadra e tij, duke vulosur një sezon fantastik në të cilin po kalon.
Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, ai ka folur pas suksesit të madh që ka arritur, duke qenë natyrisht shumë i lumtur.
“Ndihem shumë, shumë mirë, pas një viti me shumë sakrifica arrita qëllimin tim me një Kupë dhe jam shumë i lumtur“, tha fillimisht Korenica.
Tutje, ai tregoi dedikimin e tij emocionues, i cili natyrisht se shkon për babain e tij, i cili ndërroi jetë para disa muajve, e i cili ka qenë mbështetësi i tij i madh deri në momentet e fundit.
“Ky trofe i dedikohet babait tim, i cili ka qenë gjithmonë mbështetësi im, do të vazhdoj ta bëj krenar në mënyrën më të mirë të mundshme, dhe familjes sime gjithashtu pas një viti të vështirë që kemi pasur”, përfundoi Korenica.