
Qytetarët e Komunës së Lipjanit dhe asaj të Shtimes janë ankuar për cilësinë në asfaltimin e rrugëve. Ata thonë se investimet të cilat po i bëjnë në rrugë nuk janë për një periudhë afatgjate, pasi ato shumë shpejt po bëhen të pakalueshme. E disa të tjerë kanë thënë se është nevojë urgjente digjitalizimi i administratës. Nga Komuna e Lipjanit kanë thënë se janë duke punuar drejt realizmit të projekteve për mirëqenie të qytetarëve, derisa nga ajo e Shtimes kanë refuzuar të prononcohen.
Raporti: Egzona Shala, Kamera: Euron Hashani.
Rrugë të ngushta e pa trotuare, janë disa nga ankesat e qytetarëve të Komunës së Lipjanit.
Ata thonë se cilësia e investimeve komunale nuk është e mirë, sidomos në projektet infrastrukturore.
E disa të tjerë ankohen për mungesë të shërbimeve të duhura administrative.
Kryetari Lipjanit Imri Ahmeti, ka thënë se janë në përpjekje për t’i realizuar premtimet e tyre dhe të gjitha projektet të finalizohen deri në fund të mandatit.
Në gjendje të mirë infrastrukturore nuk qëndron as edhe Komuna e Shtimes.
Banori Arsim Mustafa, i cili jeton në rrugën “Ramadan Elshani” që nga viti 2018, ka kërkuar nga komuna që të bëhet zgjerimi i rrugës dhe shtrimi i trotuarit, por deri më tani nuk është ndërmarr asgjë.
Ai ka thënë se për shkak të rrugës së ngushtë po rrezikohen fëmijët dhe kalimtarët.
Për dallim nga Komuna e Lipjanit, nga Komuna e Shtimes kanë refuzuar të prononcohet lidhur me ankesat e qytetarëve, duke kërkuar një kohë më të përshtatshme për ta./Gazeta10