
Sistemi i drejtësisë sipas Raportit për Kosovën të Komisionit Evropian, ka shënuar pak progres, mirëpo janë evidentuar ngecje të shumta. Ky raport vë në pah mungesën e luftimit të korrupsionit, krimit të organizuar dhe ngritjen e aktakuzave të profilit të lartë, teksa pozitive e ka cilësuar gatishmërinë e Kosovës për të zbatuar opinionet e Komisionit të Venecias për Vettingun dhe miratimin e ligjeve ndaj korrupsionit.
Raporti Gresa Bardhecaj, Kamera Labeat Krasniqi.
Ngecje në administrimin e drejtësisë ka evidentuar Raporti për Kosovën i Komisionit Evropian, ndonëse është theksuar se është shënuar pak progres në këtë fushë.
Në raport thuhet se Kosova është në fazën fillestare të përgatitjes së përforcimit të sundimit të ligjit, luftimit të korrupsionit dhe luftimit të krimit të organizuar.
Por, aty është kërkuar vullnet politik në luftimin e këtyre dukurive dhe për ta përmirësuar sundimin e ligjit në vend.
Gjithashtu, janë evidentuar ngecje në hetimin dhe ndjekjen penale të krimit të organizuar, derisa është thënë se ka progres në luftën kundër korrupsionit me miratimin e legjislacionit të rëndësishëm kundër korrupsionit.
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka thënë se ky raport është i ngjashëm me raportet e viteve të kaluara në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Labinot Leposhtica nga zyra ligjore në Kallxo.com, ka thënë se në raport është mirëpritur gatishmëria e Qeverisë për të zbatuar opinionin e Komisionit të Venecias për Vetting-un e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Ndër të tjera në raportin për këtë vit të KE-së, thuhet nuk është bërë mjaftueshëm në ngritjen e aktakuzave të profilit të lartë, në konfiskimin e pasurisë, si dhe nuk janë shqiptuar dënime në përputhje me peshën e veprës së kryer nga politikanët dhe zyrtarët e lartë./Gazeta10