
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas sulmeve të opozitës në Shqipëri për fjalimin e Kryeministrit Edi Rama në KiE.
Balla përmes një statusi në Facebook, ka thënë se koalicioni Berisha-Meta duhet të heshtnin, pasi në vitin 2011, patën votuar PRO për Rezolutën 1782 (2011) të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (“APKiE”) për “hetimin e pretendimeve për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë”, transmeton Gazeta10.
“E kam denoncuar heshtjen e Sali Berishës ndaj dokumentit të hartuar në Moskë, që në verën e vitit 2008. E kam denoncuar votën pro të Sali Berishës dhe Ilir Metës, për atë Rezolutë skandaloze në vitin 2011 gjithashtu. Kam denoncuar edhe lidhjet e Partisë Demokratike me financime të paligjshme ruse. Sot pyetja që shtrohet është: Ndërsa Shqipëria zyrtarisht përmes Kuvendit dhe Kryeministrit Edi Rama fillojnë përpjekjen për ta pastruar këtë mal të madh balte dhe trillimesh, të denjë për filma horror, Sali Berisha dhe Ilir Meta pse janë hedhur në sulm?!”, ka shkruar ai fillimisht.
Më tej, Balla ka thënë se dje ishte një ditë e rëndësishme, si dhe historike madje, për pretendtimet e pabazuara të pretendimeve për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë.
“Megjithatë, e djeshmja ishte një ditë e rëndësishme, historike madje, në rrugën e shpalljes si të pabazuara të pretendimeve për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë këtyre 11 viteve, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse dhe përsa i përket angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë. Lufta e UÇK
ishte luftë e pastër, e drejtë dhe çlirimtare!”, ka përfunduar ai./Gazeta10