
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se mosliberalizimi i vizave është një padrejtësi e madhe ndaj Kosovës, raporton Gazeta10.
Krasniqi këto komente i ka bërë në panelin e organizuar për herë të parë në Kosovë nga Forumi Liberal Evropian.
Ai më tej ka thënë se momentumi aktual jo vetëm që kërkon këtë proces por edhe marrjen e statusit të kandidatit për BE.
Krasniqi ka thënë se PDK i është bashkuar familjes së madhe të partive meqë është parti shtetformuese si dhe përqafon vlerat e njejta.
Këtu keni statusin e plotë:
“Sot, në panelin e organizuar për herë të parë në Kosovë nga Forumi Liberal Evropian (ELF) me temën “Integrimi i Kosovës në BE: vlerat liberale dhe perspektivat e ardhshme”, ritheksova se është padrejtësi e madhe që qytetarëve të Kosovës të vazhdojë t’u mohohet lëvizja e lirë në shtetet e Zonës Schengen.
Momentumi aktual kërkon jo vetëm liberalizimin e vizave të vonuara për Kosovën, por duhet të shërbejë edhe si shtysë për dhënien e shpejtë Republikës së Kosovës të statusit zyrtar të vendit kandidat për anëtarësim në BE. Sepse, Kosova nuk ka të ardhme tjëtër, veçse në Evropë!
Liria dhe pavarësia e vendit tonë, ndër të tjera, është edhe triumf ndërkombëtar i vlerave thelbësore liberale, andaj kjo është arsyeja që Partia Demokratike e Kosovës, si parti shtetformuese dhe shtetndërtuese, i është bashkuar familjes së madhe të partive që përqafojnë këto vlera”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e tij në Facebook. / Gazeta10