Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

PDK kërkon shkarkimin e Rozeta Hajdarit, paralajmëron edhe mocion në Kuvendin e Kosovës

Gazeta10
15 October 2022 - 17:37

Partia Demokratike e Kosovës, përmes shefit të grupit parlamentar të saj, Abelard Tahiri si dhe deputetes Blerta Deliu-Kodra, ka kërkuar shkarkimin e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, raporton Gazeta10.

Tahiri ka thënë se ka një kod të procedurës penale që është miratuar në Kuvend dhe që parasheh suspendimin e zyrtarëve të lartë publik që kanë aktakuza për krim të organizuar dhe korrupsion.

“Në kodin e procedurës penale që ne kemi miratuar në Kuvend, parashihet suspendimi i zyrtarëve të lartë publik të cilët kanë aktakuza për krim të organizuar dhe korrupsion. Sot, Vetëvendosje e ka një ministre e cila ka aktakuzë për mos deklarimin e pasurisë, atëherë çfarë roli ka kodi i procedurës penale që ne e kemi miratuar? Kjo është e paparanueshme”, ka thënë Tahiri.

Ai ka thënë se kryeministri duhet ta shkarkojë ministren Hajdari deri të premten përndryshe do të niset një mocion për këtë temë.

 “Përndryshe, do të nisim një mocion përmbajtjesor në Kuvendin e Kosovës, ku do të kërkojmë përmes seancës votimin e një rezolute që i bën thirrje Kryeministrit ta shkarkojë Rozeta Hajdarin”, ka thënë Tahiri.

Deputetja, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se Hajdari ka pasur skandale të shumta ku ndër të tjera e ka përmendur edhe promovimin e Kosovës si vend ku lindën manastiret serbe.

“Ministrja Hajdari ka pasur skandale të panumërta dhe së fundmi, ne kemi kërkuar ta shohim padinë të cilën thuhet se e kanë bërë ndaj revistës franceze. Ministria e udhëhequr nga Rozeta Hajdari ka thënë se kanë filluar proceduar për padi, por rezultate nuk kemi parë në lidhje me promovimin e Kosovës si vend ku lindën manastiret serbe. Pas të gjitha këtyre skandaleve, ajo duhet të shkarkohet nga Kryeministri”, ka thënë ajo. / Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.