
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila thotë se s’ka agjendë personale ndaj asnjë prej deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Duke iu kundërpërgjigjur akuzave të deputetit Haki Abazi, shefja e deputetëve të LVV-së thotë se grupi i tyre parlamentar është shembull i demokracisë së brendshme, raporton Gazeta10.
Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, aktualisht deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka qenë kritikë ndaj shefes së tij në grupin parlamentar, duke thënë se “po minon diskutimet brenda” si dhe është “handikap i madh” që nuk kryetarja e GP nuk vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, por pozita i takon si pjesë e koalicionit me partinë e Kusari-Lilës, Alternativa.

Kusari-Lila sugjeroi deputetin Abazi që të përdorë mekanizmat e brendshëm për çfarëdo ankese, përfshirë edhe Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas saj, pretendimet e deputetit Abazi për minim të demokracisë brenda grupit parlamentar janë të paqëndrueshme dhe të njëjtat nuk janë iniciuar as në organin vendimmarrës të Lëvizjes Vetëvendosje.
Krahas kësaj, Kusari-Lila, nënvizoi edhe mbështetjen e plotë që e ka nga kryetari i LVV-së, njëherësh kryeministri Albin Kurti./Gazeta10