
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar të martën letrën drejtuar liderëve të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës për rrëzimin e raportit të Dick Martyt.Rama ka thënë se të gjitha përpjekjet për hetime të bëra vërtetuan se nuk ka asnjë provë për nxjerrje dhe trafikim organesh, andaj u ka kërkuar përkrahje këtyre shteteve. Por, njohës të drejtësisë në vend, thonë se kërkesa e kryeministrit shqiptar është legjitime, por janë skeptik se do të gjejë mbështetje.
Raporti: Viola Korça, Kamera: Rexhep Gashi.
Një javë pas fjalimit në Asamblenë e Këshillit të Evropës, kryeministri shqiptar Edi Rama ka vazhduar betejën kundër raportit të ish-senatorit zviceran Dick Marty.
Në letrën që ua ka dërguar liderëve të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, Rama ka kërkuar mbështetjen për nisjen e procedurës që do të çojë në një raport vijues në lidhje me raportin e Dick Martyt.
Rama ka thënë se këtë po e bën për të kërkuar heqjen e njollës së turpit të trafikimit të organeve njerëzore mbi kombin shqiptar dhe mbi vetë Këshillin e Evropës.
Por njohës të drejtësisë, shprehen skeptik se kjo çështje do të lëvizë përpara. Edhe pse sipas avokatit Artan Qerkini, kërkesa e kryeministrit Rama është legjitime.
Ndërsa, avokati tjetër Taulant Hodaj nuk beson se kjo do të gjejë mbështetje dhe do të ndikojë në ndryshim të raportit të Dick Marty-it, i cili i hapi rrugë krijimit të Gjykatës Speciale.
Për raportin e Dicky Martit, Rama iu drejtua me një fjalim të gjatë të mërkurën e javës së kaluar Asamblesë së Këshillit të Evropës, ku u bëri thirrje që të rrëzohen akuzat e gatuara në Kremlin ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së./Gazeta10