
Përfitimi material prej 30 mijë euro, dyshohet të ketë qenë arsyeja e vrasjes së biznesmenit nga Prishtina, Bedri Rexhepi. Kështu kanë thënë nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, për çka kanë ngritur aktakuzë ndaj dy personave. Ndërkaq, familja Rexhepi kanë bërë thirrje që të akuzuarit ta marrin dënimin e merituar.
Raporti: Saranda Aliu
Mbetjet mortore që u gjeten ditë më parë në malet e Novëbërdës, dolën të jenë të Bedri Rexhepit.
E për këtë, Prokuroria Themelore e Prishtinës ngriti aktakuzë ndaj dy personave, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, të cilët akuzohen për vrasje e rëndë në bashkëkryerje.
Sipas prokurorit të rastit, Armend Hamiti, motivi i vrasjes së biznesmenit nga Prishtina, dyshohet të jenë përfitimi i 30 mijë eurove.
Prokurori ka dhënë detaje kronologjike për rastin, derisa ka shtuar se familjarët kishin rënë pre e një personi që ishte paraqitur si agjent i CIA-s amerikane.
Pasi u konstatua se biznesmeni Rexhepi u vra, përmes një postimi në facebook reaguan familjarët, duke thënë se presin dënim meritor për të akuzuarit.
Ndërkaq, familja Rexhepi kanë njoftuar se varrimi i të ndjerit do të bëhet këtë të enjte, në varrezat e qytetit të Shtimes.
Lidhur me rastin ka folur mbrojtësi i familjes Rexhepi, Besnik Berisha.
Bedri Rexhepi ishte zhdukur më 8 prill të vitit të kaluar. Një ditë më vonë, në arat e fshatit Janjevë të Lipjanit u gjet vetura e tij, e braktisur.
Dy të akuzuarit ndodhen nën masën e paraburgimit./Gazeta10