
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se partia e tij është më e gatshme se kurrë për të udhëhequr vendin dhe për t’i dhënë Kosovës një qeverisje të dinjitetshme.
Ai ka folur gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, ku ka bërë thirrje për një mesazh të qartë drejtuar qytetarëve, se Kosova ka nevojë për Lidhjen Demokratike të Kosovës, më shumë se kurrë më parë.
“Nga kjo sallë duhet të dalë një mesazh i qartë për çdo qytetarë të Republikës së Kosovës, se LDK është gati, gati të marrë timonin e vendit, gati të jap qeverisje të dinjitetshme, të zhbëj dëmet e bëra, gati të sjellë standard evropiane të punës e politikës, gati ta rifitojë besimin e qytetarëve gati ta risjellë Kosovën në rrugën e saj euroatlantike”, tha Abdixhiku.
Në fjalën e tij, Abdixhiku ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, duke thënë se kjo qeveri ka bllokuar zhvillimin e shtetit.
Po ashtu, Abdixhiku u shpreh i gatshëm për kandidimin e tij për kryeministër të Kosovës, duke shpresuar që Zoti t’i japë dije dhe maturi për t’i prirë kësaj gare.
“Ky aprovim para se të jetë privilegj është përgjegjësi e madhe që më vihet mbi supe dhe për të cilën jam gati. I gatshëm të ecim bashkë dhe të mbaj peshën e kësaj detyre në emrin tuaj. Shpresoj që Zoti të më jap forcë, dije e maturi t’ju prijë në këtë garë me dinjitet”.