
Autoritetet gjyqësore të Serbisë kanë nisur procedurë penale ndaj shtetasit të Kosovës, Dukagjin Maxhuni, të cilit i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nën pretendimet për përfshirje në krime lufte të vitit 1999.
Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës (MPJD), e cila ka njoftuar se përmes Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi ka informuar Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi dhe ka dërguar nota verbale te misionet diplomatike të vendeve të Quint-it.
Sipas MPJD-së, qëllimi i këtyre veprimeve është sigurimi i angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurisë së shtetasit të Kosovës.
Ambasadori i Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, është në kontakt të vazhdueshëm me familjen e Maxhunit. Përmes Zyrës Ndërlidhëse pritet të paraqitet kërkesa zyrtare për lejimin e vizitës ndaj tij, e cila, sipas MPJD-së, pritet të realizohet gjatë javës së ardhshme.
Ministria ka bërë të ditur se do të vazhdojë ta monitorojë nga afër rastin dhe do të ndërmarrë veprimet e nevojshme diplomatike për mbrojtjen e të drejtave të shtetasit të Kosovës.