
Instituti gjerman “Friedrich-Ebert-Stiftung” ka konfirmuar se bashkë me Institutin Evropian për Paqe, janë autorë të draftit të statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që doli dje në publik.
Por, përmbajtjen e draftit ky institut e ka quajtur të vjetër.
“Versioni që u publikua dje është një version i vjetruar. Shpresojmë që së shpejti ta përfundojmë punën tonë dhe ta ndajmë më pas me publikun”, thuhet në një përgjigje nga Instituti për RTV Dukagjinin.
Ndërkaq, Instituti ka shtuar se drafti është hartuar nga zyra e saj në Prishtinë dhe jo nga ajo në Beograd siç ka thënë Aleksandar Vuçiq.
“Jo. Vërejtjet e Vuçiq janë të pasakta. Ky është një projekt i realizuar nga Zyra e Fondacionit Friedrich-Ebert në Prishtinë. Zyra jonë partnere në Beograd nuk ishte e përfshirë në hartim. Çdo përfshirje e zyrës sonë partnere ishte e kufizuar në mbështetje logjistike”, thuhet në përgjigjen e institutit gjerman.