
Kuvendi i Kosovës ka miratuar Strategjinë për Siguri, anipse përmbajtja e këtij dokumenti u kundërshtua nga partitë opozitare. Kryeministri Albin Kurti, ka prezantuar këtë strategji, derisa kërkoi sërish nga qytetarët që kontribuojnë në Fondin për Siguri. Përveç opozitës, mospajtime për strategjinë 5 vjeçare të sigurisë ka shprehur edhe deputeti i Vetëvendosjes, Fatmir Humolli.
Raporti: Gentiana Gashi, Kamera: Rexhep Gashi.
Pavarësisht mospajtimeve pushtet-opozitë, Kuvendi i Kosovës miratoi Strategjinë për Siguri 2022-2027.
Por, para se të hidhej në votim, ky dokument u prezantua nga kryeministri Albin Kurti, për çka edhe mori kritika të shumta nga deputetët opozitar.
Shefi i ekzekutivit, vlerësoi se si parakusht për sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës, është anëtarësimi në NATO dhe Bashkim Evropian.
Kurti ka thënë se krahas rritjes se buxhetit kanë përshpejtuar blerjet ushtarake dhe fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.
Derisa,u ka bërë thirrje sërish qytetarëve që të kontribuojnë në Fondin për Siguri.
Ky dokument, sipas deputetëve nga opozita që janë pjesë edhe e komisionit për siguri ka mangësi të theksuara.
Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, kërkoi nga qeveria që të merren parasysh edhe komentet e tyre.
Të pakënaqur me përmbajtjen e strategjisë së sigurisë ishin edhe dy partitë e tjera opozitare, LDK e AAK.
Edhe një herë tjetër, mospajtime me Vetëvendosjen, ka shprehur deputeti i kësaj partie, Fatmir Humolli, i cili ka abstenuar kur u hodh në votim.
Strategjia 5 vjeçare për siguri mori votat e 61 deputetëve, derisa opozita nuk mori fare pjesë në votim.
Në fillim të seancës, nuk u miratua projektligji për Qeverinë e Kosovës dhe ai për Noterinë, për shkak të mungesës së kuorumit./Gazeta10