Kosova Po Pret

24
DITË
14
ORË
37
MINUTA
05
SEKONDA
Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Haxhiu pranon letrat kredenciale të ambasadorit australian, vlerëson mbështetjen e Australisë për Kosovën

Gazeta10
01 September 2026 - 16:46

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pranuar sot letrat kredenciale të Ambasadorit të Australisë në Kroaci, me akreditim jorezident në Republikën e Kosovës, Glenn Robert Morrison.

Me këtë rast, Haxhiu i ka uruar mirëseardhje ambasadorit Morrison në Kosovë dhe suksese në detyrën e tij të re, duke vlerësuar marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Australisë.

Haxhiu shprehu mirënjohje për mbështetjen që Australia i ka dhënë Kosovës gjatë luftës, për njohjen e hershme të pavarësisë së vendit, si dhe për përkrahjen e vazhdueshme australiane ndaj Kosovës në vitet e pasluftës.

“Pavarësisht largësisë gjeografike, Kosovën dhe Australinë i lidhin marrëdhënie të mira, por edhe një komunitet shqiptar që prej dekadash është pjesë e shoqërisë australiane”, thuhet në komunikatën lidhur me takimin.

Gjatë takimit, Haxhiu dhe ambasadori Morrison kanë diskutuar për mundësitë e thellimit dhe zgjerimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, me fokus të veçantë në ekonomi, investime, arsim, teknologji dhe siguri.

Ushtruesja e detyrës së Presidentes ka theksuar gjithashtu progresin që, sipas saj, Kosova ka shënuar ndër vite në forcimin e institucioneve shtetërore, demokracisë dhe pozitës së saj në arenën ndërkombëtare.

Në takim është diskutuar edhe për synimet e Kosovës për zhvillimin e mëtejshëm të vendit dhe për rëndësinë e mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë në këtë proces.

Haxhiu ka vlerësuar se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Australisë kanë potencial për t’u zhvilluar edhe më tej, ndërsa bashkëpunimi në fusha të ndryshme mund të kontribuojë në forcimin e lidhjeve mes dy vendeve.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.