
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni, ka deklaruar publikisht se e mbështet kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Republikës së Kosovës.
Quni, para mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së, tha se kandidatura e Sejdiut gëzon mbështetjen e tij, duke e vlerësuar atë si një figurë me bagazh të fuqishëm familjar dhe individual.
“Mbështes kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Republikës së Kosovës”, deklaroi Quni.
Ai bëri të ditur se është i njohur me familjen Sejdiu, ndërsa vlerësoi profilin dhe figurën e kandidatit të propozuar për postin e presidentit.
Quni më herët kishte përshëndetur edhe marrëveshjen e arritur ndërmjet LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje për kandidaturën e Bekim Sejdiut, duke e cilësuar atë si një hap drejt stabilitetit institucional të vendit.
Kandidatura e Sejdiut është rezultat i marrëveshjes politike ndërmjet LDK-së dhe LVV-së, ndërsa tash vëmendja është te sigurimi i votave të nevojshme në Kuvend për zgjedhjen e presidentit./Gazeta10