
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se nuk ka presion nga ndërkombëtarët sa i përket shtyrjes së zbatimit të vendimit për targat. Lidhur me këtë, e para e shtetit tha se do të gjendet një zgjidhje në bashkëpunim me ndërkombëtarët, ku do të jetë përbazë sundimi i ligjit. Ndërkaq, nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë kanë thënë se duan që zbatimi i këtij vendimi të bëhet në mënyrë paqësore e mos të kontribuojë në rritjen e tensioneve.
Raporti: Arta Mustafa.
Përkundër kërkesave të vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se nuk po ushtrohet presion te ta për shtyrjen e afatit.
Kur kanë mbetur 5 ditë para përfundimit të afatit për ndërrimin e targave ilegale, e para e shtetit ka thënë se do të gjendet një zgjidhje për këtë përkitazi me afatin, por që do të jetë në bashkëpunim me ndërkombëtarët.
Osmani ka thënë se kjo zgjidhje për bazë do të ketë sundimin e ligjit, derisa u zotua se serbët lokalë do të mbrohen dhe nuk do të ndihen të kërcënuar.
Ndërkaq, nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë kanë thënë se pozicionin e Qeverisë së Kosovës për targat e shohin si një vendim që është në përputhje me marrëveshjen e Brukselit por që shtyrja e vendimit është e nevojshme për mosrritjen e tensioneve.
Ditë më parë, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të shtyejë për 10 muajë afatin për targat, kërkesë të cilën e ka refuzuar ekzekutivi kosovar./Gazeta10