
Uran Kyqyku nga Oda e Artitektëve të Kosovës ka reaguar lidhur me shembjen e një rruge në Prishtinë, konkretisht në rrugën Don Shtjefën Kurti, duke ngritur shqetësime serioze për mungesën e profesionalizmit në sektorin e ndërtimit.
Në intervistë në emisionin Gazeta, ai theksoi se një nga problemet kryesore është mungesa e punëkryesëve të kualifikuar dhe të licencuar në Kosovë. Sipas tij, në punët e ndërtimit, veçanërisht ato të dheut dhe betonimit duhet të angazhohen persona me trajnim dhe arsimim adekuat.
Ai u shpreh se aktualisht shumë punëkryes në vend janë të pakualifikuar dhe nuk posedojnë licencë përkatëse për të realizuar punime ndërtimore. Rapuca shtoi se shpesh projektet bazohen vetëm në licencën e një arkitekti, i cili mund të mos jetë vazhdimisht i pranishëm në vendpunishte.
“Kur e ke të kualifikuar një kryepunëtor, e sidomos tek punët e dheut e betonimit, ata supozohet se kanë kompetencë përmes një shkollimi apo trajnimi paraprak. Ne punëkryesit i kemi të pakualifikuar. Asnjë punëkryes në Kosovë nuk e ka një licencë që ka të drejtë me ekzekutu punime, mirëpo bazohen në një licencë të një arkitekti, i cili mundet me qenë pjesërisht në punishte,” tha Kyqyku.
Si pasojë e gjendjes së krijuar nga shembja e rrugës, qarkullimi në këtë segment është bërë i vështirë, duke rritur shqetësimet për sigurinë dhe standardet e ndërtimit në kryeqytet.