
Opinionisti Artan Aliaj, në Gazeta tha se deklarimet e fundit të kryeministrit Kurti duhet të shihen në kontekstin e përgatitjeve për një proces të ri zgjedhor, duke theksuar se partitë tashmë kanë hyrë në një fazë të pozicionimit strategjik.
Sipas tij, në periudhën në vijim është e pritshme që subjektet politike të intensifikojnë aktivitetet dhe retorikën publike, me qëllim sigurimin e një pozite sa më të favorshme për zgjedhjet e ardhshme.
“Në anën tjetër, partitë politike do të luftojnë për pozicionim sa më të mirë para procesit të ri zgjedhor dhe është shumë normale që edhe Kurti të dalë e të bëjë deklarime të tilla, pasi që në njëfarë forme është në interesin e tyre që të vazhdohet me qeverisje,” është shprehur Aliaj.
Ai shtoi se, ndonëse qeverisja aktuale vlerësohet ndryshe nga akterë të ndryshëm, disa e konsiderojnë të suksesshme e të tjerë jo, për partinë në pushtet mbetet thelbësore vazhdimësia e mandatit.
Deklaratat e tilla, sipas Aliajt, janë pjesë e një strategjie më të gjerë politike që synon mobilizimin e elektoratit dhe forcimin e pozicionit në prag të zhvillimeve të reja zgjedhore.
Deklarata e plotë: https://youtu.be/vNQnuvZLXB8