
Profesori i shkencave politike, Basri Muja në emisionin Gazeta reagoi ashpër lidhur me sulmin ndaj zyrtarit të Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj, Hysni Mehani, duke e cilësuar rastin si të papranueshëm dhe shqetësues për klimën politike në vend.
Muja tha se sulmi ndaj një bartësi të një partie politike bëhet edhe më serioz kur viktima është njëkohësisht kryetar i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj dhe zëvendëskryeministër.
“Është e papranueshme, e papranueshme në çdo mënyrë që të sulmohet një bartës i një partie politike. Si duket, Hysni Mehani është edhe kryetar i degës së LVV-së në Skenderaj, por mbi të gjitha është edhe zëvendëskryeministër”, tha Muja në Gazeta.
Sipas tij, situata rëndohet edhe më shumë nga pretendimet se personat e përfshirë në sulm janë të lidhur me kryetarin e komunës.
“Kur kësaj i shtohet fakti se ai sulmohet nga njerëz të cilët janë të lidhur me kryetarin e qytetit, mendoj se kjo vetëm sa e rëndon situatën edhe më shumë”, u shpreh ai.
Profesori kërkoi nga organet përgjegjëse që të veprojnë menjëherë për zbardhjen e rastit dhe vënien e përgjegjësve para drejtësisë.
“Shpresoj shumë dhe pres prej organeve përgjegjëse që të ndërmarrin gjithçka dhe të zbardhet ky rast, ndërsa përgjegjësit të vendosen para drejtësisë”, tha Muja.
Ai shtoi se koha kur ka ndodhur incidenti, në prag të fushatës zgjedhore, e bën rastin edhe më të ndjeshëm dhe dërgon sinjal negativ për procesin demokratik.
“Kur ky rast ndodh gjatë fushatës apo në fillim të fushatës zgjedhore, kjo e rëndon situatën edhe më shumë dhe është një mesazh shumë i keq. Kryetari i qytetit dhe njerëzit rreth tij sulmojnë kundërshtarët politikë. Kjo është e papranueshme”, tha tutje Muja.
Deklarata e plotë: https://youtu.be/MpQQYDHI1pQ