
Ish zv.ministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha në emisionin Gazeta tha se grumbullimi i turmave dhe ndërlidhja e incidenteve të fundit me luftën e Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nuk i shërben askujt dhe nuk ka lidhje me luftën.
Sipas Hoxhës, lufta e UÇK-së mbetet e shenjtë dhe e paprekshme nga debatet apo përplasjet politike.
“Unë mendoj se mbledhja e turmave nuk i ndihmon Lushtakut dhe as ndërlidhja me luftën e UÇK-së, sepse nuk ka të bëjë fare kjo me luftën. Lufta është e shenjtë dhe pavarësisht etiketimeve e fjalorit të përdorur nga politika apo grupe të caktuara të interesit, nuk munden t’i bëjnë asgjë luftës së shenjtë të UÇK-së”, tha Hoxha në Gazeta.
Ai tha se lufta e UÇK-së është e vendosur në piedestalin më të lartë kombëtar dhe nuk duhet të përdoret për çështje të incidenteve të momentit.
“Ajo është e gravuar, është e vendosur në piedestalin më të lartë kombëtar, prandaj këto zënka e incidentet e momentit, 27 vite pas luftës, mund të jenë raste sporadike që ndodhin dhe parashihen me Kodin Penal”, u shpreh Hoxha.
Tutje, ai theksoi se çdo rast duhet të trajtohet nga institucionet kompetente dhe nëse vërtetohet ndonjë vepër penale, atëherë duhet të shqiptohen dënimet përkatëse.
“Nëse vërtetohet që është kryer një vepër penale, atëherë mund t’i shqiptohet një dënim”, deklaroi ish-ministri.
Deklarata e plotë: https://youtu.be/fvP9j0G6Dio