
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i ka quajtur “sulme të ndyra” disa deklarata në drejtim të ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Daut Haradinaj dhe Sami Lushtaku.
“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dënon sulmet e ndyra të drejtuara kundër gjeneralëve të Luftës Çlirimtare, sulme që tani po përforcohen nga qarqe, prejardhja politike dhe familjare e të cilave u kalit në shërbim besnik ndaj Jugosllavisë dhe pushtimit serb”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.
Organizata e Veteranëve tha se “asnjë shpifje nuk mund ta njollosë luftën që çliroi Kosovën”.
“Gjeneralët dhe luftëtarët e UÇK-së nuk u kërkuan kurrë leje puthadorëve të një regjimi të vdekur para se të rroknin armët për këtë tokë. Sakrifica e tyre është themeli mbi të cilin ngrihet Kosova. Ata që pështyjnë mbi të, nuk shpërfaqin asgjë tjetër veçse zbrazëtinë e tyre politike dhe kalbëzimin moral”, thuhet në reagim.
OVL-UÇK thotë se “nuk është e rastësishme” kjo gjuhë “kundër UÇK-së”.
“Pas dy vitesh krizë institucionale, nxitja e qëllimshme e militantëve kundër UÇK-së nuk është e rastësishme. Është një lëvizje e llogaritur për të helmuar jetën publike, për të përçarë shoqërinë shqiptare dhe për ta çuar Kosovën drejt përplasjes së brendshme. Interesit të kujt i shërben kjo sjellje? Qartazi, Serbisë, në fushatën e saj të gjatë për të kriminalizuar Luftën Çlirimtare dhe për të shkatërruar unitetin tonë kombëtar”.
Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i është kërkuar që ta ndalë “nxitjen e këtyre sulmeve”.
“Albin Kurti dhe Vetëvendosje duhet të ndalin, tani, nxitjen e këtyre sulmeve ndaj UÇK-së, veteranëve dhe komandantëve të saj. Kosova nuk u çlirua që aventurierët politikë të përdorin si armë konfliktin qytetar për pushtet. Ata që nuk trashëguan asgjë nga kjo përpjekje, nuk kanë asnjë tagër të gjykojnë ata që e ngritën atë me gjak. Kërkojmë llogaridhënie publike dhe ndërprerje të pakushtëzuar të kësaj fushate antiçlirimtare. Vazhdoni në këtë rrugë dhe pasojat do të jenë të përhershme”, thuhet në reagim.
OVL-UÇK mori shkas nga disa deklarata të rënda dhe kërcënuese së fundmi të një mërgimtari të quajtur Naser Xhylani ndaj Daut Haradinajt, të cilin ai e quajti “Daut Radoiçiqi”.