
Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Përparim Gruda në Politiko ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për standard të dyfishtë në raport me procesin e zgjedhjes së presidentit të vendit.
Gruda deklaroi se arsyetimi i LVV-së për moszgjedhjen e presidentit nuk ka “busull morale”, duke përmendur faktin se kjo parti në të kaluarën nuk ka marrë pjesë në votimin e presidentëve.
“Në rastin e këtij arsyetimi për moszgjedhje të presidentit, nuk ka busull morale. Një parti si Vetëvendosja, e cila nuk ka qëndru kurrë në sallë për zgjedhjen e asnjë presidenti, dhe kërkon prej të tjerëve me qëndru në sallë, për këtë standard moral e kisha fjalën”, deklaroi ai.
Sipas Grudës, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka marrë pjesë në asnjë proces të mëhershëm të zgjedhjes së presidentit dhe tani po kërkon sjellje ndryshe nga opozita.
“Ata asnjëherë nuk kanë qëndruar për asnjë president”, tha ai.
Gruda komentoi edhe deklaratat për kandidaten e propozuar për presidente, për të cilën tha se po prezantohet si figurë që “e nderon Kosovën”, duke rikujtuar qëndrimet e mëhershme të LVV-së ndaj Adem Demaçi.
“Po na thonë se kandidatja e propozuar po e nderojka Kosovën. Unë po bëj pyetje tani, a e njohin këta se kush është Adem Demaçi, kur Vetëvendosja e ka kundërshtuar zgjedhjen e tij për president. Pra, për cilin standard moral po flasim”, deklaroi Gruda.
Deklarata e plotë: https://youtu.be/iNV_CIGvZVk