
I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, ka zhvilluar një takim me kryetaren e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabić, në kuadër të vazhdimit të konsultimeve për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Pas takimit, Sorensen bëri të ditur se biseda është fokusuar në ecurinë e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe në nevojën për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani, transmeton lajmi.net.
“Shkëmbim konstruktiv me kryetaren e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabić, për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin me Kosovën. Diskutuam rëndësinë e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të Dialogut dhe përfshirjen e saj në diskutimet e mëparshme për normalizimin ekonomik”, ka shkruar Sorensen.
Takimi vjen në një periudhë kur Bashkimi Evropian po intensifikon angazhimin diplomatik për të shtyrë përpara procesin e dialogut Kosovë-Serbi, me fokus të veçantë te zbatimi i obligimeve të dakorduara nga të dyja palët.