Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Jo shërbim i detyrueshëm ushtarak, Kurti flet për modelin e mbrojtjes gjithëpërfshirëse

Gazeta10
28 May 2026 - 13:36

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se në vend të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, vendi do të fokusohet në modelin e mbrojtjes gjithëpërfshirëse.

Kurti ka thënë se ky është vlerësuar si model më funksional. Ai tha se ky është një model që i përngjan atij të Finlandës dhe vendeve baltike.

“Është temë e gjatë, por mos harroni çfarë kemi bërë dhe kjo nuk do të thotë që s’do ta bëjmë një ditë. Por tash për tash, në situatën në të cilën ndodhemi, edhe me ekspertët kemi vlerësuar se është shumë me e mençur të kemi mbrojtje gjithëpërfshirëse apo mbrojtje totale, një model që i ngjan atij të Finlandës dhe vendeve baltike, ku ti nuk e bën ushtrinë një grumbull të madh njerëzish që mandej duhet ta strukturosh e pajisësh, por në vend të kësaj, përcakton funksione, detyra konkrete dhe vende të caktuara për qytetarët e Republikës në rast të rreziqeve të ndryshme nga fatkeqësitë natyrore deri te lufta e armatosur”, u shpreh ai.

Kurti po ashtu tha se në shkollat e mesme do të ketë një model që do të quhet edukimi për siguri. Ai tha se Kosova do të ketë edhe rezervën vullnetare.

“Në anën tjetër kjo kompletohet edhe në dy aspekte të tjera, do ta kemi edhe një model për shkollat e mesme që quhet edukimi për siguri, i frymëzuar nga shembulli i Polonisë, e që mundëson që të rinjtë të mësojnë sa më shumë dhe më saktë reagimet që duhet t’i kenë në rast katastrofave natyrore apo luftërave. Do ta kemi edhe rezervën vullnetare e cila mundëson që qytetarët e Republikës që do të bëhen rezervista të FSK-së t’i kenë pajisjet nga çizmet deri tek arma e tyre në një adresë të caktuar te FSK-ja”, tha Kurti.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.