
Janë identifikuar dy të rinjtë që u mbytën nga dallgët pasditen e kësaj të mërkure në zonën e Ranës së Hedhur në Shëngjin.
Viktimat, siç raportojnë mediat shqiptare, janë: Leonid Alia nga Fushë Kosova dhe Jetmir Çopa nga Prishtina.
Mësohet se 4 të rinj u morën nga dallgët pasi u futën për t’u larë në det. Pasditja e tyre në bregdetin e Shëngjinit rezultoi fatale për dy prej tyre, të cilët humbën jetën.
Dy të rinjtë e tjerë janë nxjerrë nga uji dhe ndodhen në gjendje të rëndë në spital.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat e kërkim-shpëtimit dhe Policia e Shtetit, të cilat po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj.