
Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe shefi i UNMIK-ut, Peter Due, dënoi ashpër vrasjet tragjike të një gruaje dhe vëllait të saj dje në Livoç të Ulët në Gjilan, si dhe plagosjen e një anëtari tjetër të familjes.
Due u shprehu ngushëllime familjes dhe të dashurve të viktimave dhe i uroi shërim të shpejtë personit të lënduar.
“Kjo humbje tragjike e jetëve nxjerr në pah koston shkatërruese njerëzore të dhunës me bazë gjinore. Një dhunë e tillë është e papranueshme dhe nuk duhet të tolerohet kurrë apo të trajtohet si çështje private”, tha ai.
Shefi i UNMIK-ut u bëri thirrje institucioneve përkatëse që të vazhdojnë përpjekjet e koordinuara për të parandaluar dhunën me bazë gjinore.
Sipas Prokurorisë, në rastin e djeshëm, të vdekur mbetën vëllai e motra, teksa dorasi dyshohet të jetë bashkëshorti i viktimës. I plagosur, sipas Prokurorisë, ka mbetur edhe djali i xhaxhait të viktimës.