
Komandanti në shkuarje i misionit paqeruajtës të NATO në Kosovë, KFOR, gjeneralmajor Ozkan Ulutas, në një adresim lamtumirës, para largimit të tij nga Kosova, ka përkujtuar se sot situata e sigurisë është shumë e mirë se ajo në vitin 1999.
Njëzet e shtatë vjet më parë, në qershor 1999, trupat e NATO-s u dislokuan në Kosovë, me rreth 55 mijë ushtarë nga 36 vende.
Ulutash tha se përmes përkushtimit dhe qëndrueshmërisë, KFOR-i i ka qëndruar besnik parimeve të tij duke qenë i paanshëm, transparent dhe i vendosur në përmbushjen e misionit të tij.
“Sot, situata e sigurisë është shumë më e mirë se në vitin 1999. Organizatat e sigurisë në Kosovë janë zhvilluar dhe janë bërë më të afta. Çdo ditë, Policia e Kosovës, së bashku me EULEX-in, garanton sigurinë publike për të gjitha komunitetet. KFOR-i mbetet reaguesi i tretë i sigurisë: i pranishëm në të gjithë Kosovën, si një forcë që ofron siguri e qetësi, që mbron stabilitetin e arritur me mund dhe është gjithmonë i gatshëm të ndërhyjë nëse ka rreziqe për përkeqësimin e situatës së sigurisë”, ka thënë Ulutas.
Ai ka theksuar se KFOR-i vazhdon në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe garantimin e lirisë së lëvizjes, teksa ka shtuar se rruga drejt sigurisë së qëndrueshme nuk është ushtarake, por ajo është politike.
“Prandaj, KFOR-i do të vazhdojë të luajë rolin e tij në këtë drejtim, përfshirë mbështetjen e dialogut të lehtësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës në të ardhmen. Ky është kuadri për të trajtuar çështjet e pazgjidhura dhe për të kërkuar zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve”, ka thënë Ulutas, duke shtuar se KFOR-i është një histori suksesi.
Kujtojmë, Ulutash më 14 tetor do të dorëzojë detyrën e tij te kreu i ri i misionit KFOR, gjeneralmajor Roberto Vergori nga Italia.