Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Qytetarëve iu bëhet thirrje që të kontrollojnë cilësinë e arit para blerjes: Kërkoni dokumentacionin

Gazeta10
10 October 2026 - 15:49

Agjencia e Metrologjisë së Kosovës (AMK), e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), iu ka bërë thirrje qytetarëve që të kontrollojnë cilësinë e arit dhe argjendit para se t’i blejnë ato.

“AMK u bën thirrje qytetarëve që, gjatë blerjes së produkteve prej ari dhe argjendi, të kërkojnë garancinë dhe dokumentacionin përkatës nga shitësi. Verifikimi dhe vulosja e produkteve, së bashku me informimin e konsumatorëve, janë të rëndësishme për rritjen e besimit në treg dhe për mbrojtjen nga deklarimet e pasakta për pastërtinë e metaleve të çmuara”.

Paraqitja e produkteve për verifikim është detyrim ligjor për operatorët ekonomikë, ndërsa mosrespektimi i kërkesave ligjore mund të sjellë sanksione sipas legjislacionit në fuqi.

Kjo agjenci tha se përmes laboratorit për verifikimin e metaleve të çmuara kontrollon pastërtinë dhe cilësinë e produkteve prej ari, argjendi, platini dhe paladiumi, me qëllim të zbatimit të kërkesave ligjore dhe mbrojtjes së interesave të konsumatorëve.

“Puna e laboratorit bazohet në Ligjin Nr. 08/L-029 për Punimet nga Metalet e Çmuara, i cili përcakton kushtet e veprimtarisë dhe kërkesat teknike për përmbajtjen, përbërjen dhe pastërtinë e këtyre metaleve. Sipas kërkesave ligjore, operatorët ekonomikë duhet t’i paraqesin produktet për verifikim në AMK para se t’i vendosin ato në treg. Procesi i verifikimit nis me pranimin e produkteve të sjella nga operatorët ekonomikë. Fillimisht, bëhet matja e tyre me peshore të kalibruar, ndërsa kontrollohet edhe dokumentacioni përcjellës, përfshirë dëshmitë për prejardhjen e produkteve dhe faturat përkatëse. Produktet duhet të jenë të dokumentuara dhe të kenë dëshmitë e nevojshme”.

Pas këtij procesi, agjencia tha se punimet nga metalet e çmuara analizohen në pajisje bashkëkohore që përdorin teknologjinë me rreze X për të përcaktuar përbërjen dhe pastërtinë e metalit. Për të siguruar saktësinë e rezultateve, laboratori kryen tri matje të njëpasnjëshme për secilin produkt, duke i krahasuar rezultatet me kërkesat dhe standardet e përcaktuara me ligj.

“Në laborator verifikohen katër lloje të metaleve të çmuara: ari, argjendi, platini dhe paladiumi. Te punimet e arit, verifikimi përfshin pastërti të ndryshme, përfshirë 14, 18, 22 dhe 24 karatë. Kontrolli kryhet për secilin produkt veç e veç, pa një kufi të përgjithshëm të përcaktuar për numrin e punimeve që mund të paraqiten për verifikim. Kur rezultatet konfirmojnë se produktet përmbushin kërkesat teknike për pastërtinë dhe deklarimin e saktë të përbërjes, AMK përgatit raportin përkatës dhe produktet vulosen për të dëshmuar se i janë nënshtruar procesit të verifikimit. Kjo u mundëson konsumatorëve të kenë më shumë siguri për produktet që blejnë, ndërsa bizneseve u ofron një proces të kontrolluar në përputhje me kërkesat ligjore.”

Rëndësia e këtij shërbimi pasqyrohet edhe në kërkesat e operatorëve ekonomikë. Vetëm gjatë vitit 2025, në laboratorin e AMK-së janë pranuar 470 kërkesa për verifikimin e metaleve të çmuara.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.