Kontaktoni

info@gazeta10.com

Kronika e Zeze

E konfirmon Policia: Dy persona të vrarë dhe një i plagosur nga të shtënat në Gjilan, i dyshuari vetëdorëzohet

Gazeta10
09 October 2026 - 16:44

Dy persona kanë mbetur të vrarë dhe një tjetër është plagosur nga të shtënat me armë zjarri që ndodhën të premten pasdite në Livoq të Ulët të Gjilanit. I dyshuari është vetëdorëzuar në Polici, ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

Hashani ka bërë të ditur se Policia e Kosovës ka pranuar informatën për të shtënat rreth orës 14:25, më 9 tetor 2026.

“Menjëherë pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore, si dhe dy prokurorë të Shtetit”, ka deklaruar Hashani.

Sipas tij, në vendin e ngjarjes është gjetur i vrarë një burrë rreth 30-vjeçar, i cili ndodhej brenda një veture.

“Është konstatuar se bëhet fjalë për një incident të rëndë, ku dyshohet se nga arma e zjarrit është vrarë një person i gjinisë mashkullore, rreth 30-vjeçar, i cili është gjetur brenda një veture”, ka thënë Hashani.

Ndërkaq, një grua e moshës rreth 30-vjeçare është dërguar pa shenja jete në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit.

“Në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan është sjellë pa shenja jete një person i gjinisë femërore, rreth 30-vjeçare, e cila dyshohet se po ashtu është vrarë nga arma e zjarrit nga i njëjti i dyshuar”, ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë.

Nga të shtënat është plagosur edhe një person tjetër. Hashani ka njoftuar se, pas trajtimit fillestar në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, i plagosuri është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Një person tjetër, i cili ka pësuar lëndime nga arma e zjarrit, pas marrjes së ndihmës së parë në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, është transferuar në QKUK, për trajtim të mëtejshëm mjekësor”, ka deklaruar ai.

Policia dyshon se mes të dyshuarit dhe viktimave ekziston një lidhje familjare, por motivi i ngjarjes ende nuk është përcaktuar.

“Sipas informatave fillestare, dyshohet se në mes të të dyshuarit dhe viktimave ekziston një lidhje familjare. Deri në këtë fazë të hetimeve, motivi që ka çuar në këtë ngjarje të rëndë ende nuk dihet”, ka thënë Hashani.

Ai ka konfirmuar gjithashtu se i dyshuari është vetëdorëzuar në Polici dhe se është sekuestruar një armë zjarri.

“I dyshuari është vetëdorëzuar, ndërsa gjatë veprimeve policore është sekuestruar edhe një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në rast”, ka deklaruar Hashani.

Hashani ka bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë në koordinim me Prokurorin e Shtetit.

“Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe njësitë relevante hetimore, është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të ngjarjes, përcaktimit të motivit dhe dokumentimit të rastit”,tha ai.

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Kronika e Zeze
04 September 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.