
Në konferencën e Partisë Demokratike të Kosovës, kandidati për deputet, Arben Mustafa, ka kritikuar qeverinë për menaxhimin e sektorit të energjisë, duke thënë se mungesa e investimeve në kapacitete të reja prodhuese ka sjellë krizë dhe kosto më të larta për qytetarët.
Mustafa tha se barrën e dështimeve në sektorin energjetik po e paguajnë qytetarët e Kosovës.
“Do të thotë faturën po ua lënë qytetarëve të Kosovës. Një model që nuk ndërton asnjë megavat të ri, por prodhon vetëm kriza të njëpasnjëshme. Po të ishte ndjekur një politikë serioze energjetike, Kosova sot do të kishte më shumë kapacitete prodhuese, më pak importe dhe çmime më të ulëta për qytetarët. Po të mos ishte bllokuar ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike dhe po të mos ishte sabotuar çdo alternativë strategjike gjatë viteve të fundit, sot nuk do të ndodheshim në këtë situatë të rëndë ku jemi”, deklaroi Mustafa.
Ai shtoi se debati për gazin amerikan lidhet drejtpërdrejt me modelin ekonomik dhe zhvillimor të vendit.
“Andaj, debati për gazin amerikan është në thelb debat për modelin ekonomik që e duam në Kosovë. A duam një Kosovë që çdo vit shpenzon qindra milionë euro për importe dhe pasuron ndërmjetësit, apo duam një Kosovë që investon në sigurinë e vet energjetike, krijon kapacitete të reja, tërheq investime dhe mbron interesin e qytetarit? Përgjigja jonë është e qartë: ekonomia e Kosovës nuk mund të ndërtohet mbi importe. Nuk mund të ndërtohet mbi krizën, nuk mund të ndërtohet mbi varësinë. Ajo duhet të ndërtohet mbi prodhimin, investimet, sigurinë energjetike dhe partneritetet strategjike me botën perëndimore”, tha ai.
Ndërkaq, sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se qeveria po shmang përgjegjësinë për mungesën e projekteve zhvillimore dhe për gjendjen në sektorin e energjisë.
“Albin Kurtit dhe kabinetit të tij, gjithmonë gjithë dikush tjetër i ka fajet. Ndonjëherë i ka fajet lufta në Ukrainë, ndonjëherë lidhjet e mesme, ndonjëherë zhvillimet në rajon, po asnjëherë ata nuk e ndjejnë veten përgjegjës për mungesën e projekteve zhvillimore në vend. Ne sot po flasim për energjinë dhe e vërteta e pakontestueshme është që nuk është krijuar asnjë kapacitet i ri prodhues në vend, njëjtë siç e kemi në të gjitha fushat. Janë mbi 20 miliardë euro që kjo qeveri ka menaxhuar dhe ne nuk mund të përmendim asnjë rezultat, asnjë projekt të vetëm të filluar e të mbaruar nga Albin Kurti dhe qeveria e tij”, tha Çitaku.
Ajo foli edhe për çështjen e gazit amerikan, duke e cilësuar si një mundësi të rëndësishme jo vetëm në aspektin energjetik, por edhe në raportet strategjike të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Çështja e gazit amerikan dhe çdo gjë përreth tij është një dilemë tërësisht e panevojshme. Unë nuk mund ta kuptoj qeverinë e Republikës së Kosovës, jo që nuk e arsyetoj, asesi nuk e arsyetoj, por as nuk arrij ta kuptoj qëndrimin e tyre refuzues karshi një iniciative e cila është jashtëzakonisht e rëndësishme për Kosovën, jo vetëm në rrafshin energjetik, por edhe në rrafshin politik, strategjik, diplomatik. Bota po ndryshon shumë, ka një rivlerësim shumë dinamik në mes forcave, ka një ribalancim të forcave dhe ne nuk duhet të kemi dilemë a jemi me SHBA-të apo me Rusinë. Unë nuk kisha pritur kurrë që një dilemë e tillë të ngrihet në Kosovë, populli i Kosovës është populli më proamerikan në botë. Dhe qeveria e Kosovës nuk duhet të mjaftohet me deklarata se punët me SHBA-të nuk janë shkëlqyeshëm por janë shumë mirë, por duhet të ndërmarrë hapa konkretë”, deklaroi Çitaku.