
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza i falënderoi “votuesit e të gjitha partive politike pa dallim” për një proces zgjedhor “të dinjitetshëm dhe të civilizuar”.
Ai tha në një konferencë për media se pret që numri i deputetëve të PDK-së të jetë “pak më i madh” sesa në mandatin paraprak.
“Unë pres që numri i deputetëve të jetë pak më i madh sesa në mandatin paraprak. Megjithatë ne po presim përfundimin e procesit zgjedhor, numërimin e të gjitha votave dhe të shohim se ku po dalim si parti politike”, tha ai.
Hamza tha se aktualisht janë 24 deputetë për PDK-në. “Megjithatë e presim fundin e procesit zgjedhor”.
Ai tha se “zgjedhjet kanë qenë të lira, por nuk kanë qenë të drejta”, duke shtuar se “është përdorur paraja publike”. Kjo, tha Hamza, “e ka bërë efektin e vet”.
Hamza foli edhe për abstenimin e votuesve. Tha se është mesazh për të gjitha partitë politike.
“Duhet ta kuptojmë dhe ta lexojmë drejt. Unë e kam lexu dhe e kam kuptu drejt, që njerëzit kanë nevojë për stabilitet politik, institucional, kanë nevojë që qeveria e vendit të merret me problemet e tyre, me përmirësimin e jetës dhe standardit të jetesës dhe jo vazhdimisht të prodhohen situata, drama, kriza”, tha ai.