
Profesori dhe analisti politik Mazllum Baraliu, i ftuar në emisionin “Gazeta”, ka kritikuar ashpër subjektet politike në vend, duke vlerësuar se si pozita ashtu edhe opozita kanë dështuar në kalkulimet e tyre politike.
Sipas Baraliut, liderët politikë nuk kanë arritur të menaxhojnë situatën politike dhe kanë treguar mungesë konsistence në qëndrimet e tyre. Ai përmendi deklaratat kontradiktore të partive, duke theksuar se disa subjekte deklaronin se nuk ishin as me pozitën e as me opozitën, ndërsa të tjerat paralajmëronin pjesëmarrje në takime politike, por më pas nuk merrnin pjesë në to.
Baraliu kritikoi edhe qasjen e Lëvizja Vetëvendosje lidhur me zgjedhjen e kandidatit, duke theksuar se fillimisht ishte kërkuar një kandidat jopolitik dhe jopartiak, por në fund ishte propozuar një kandidat partiak.
“Duhej të ishin vetëdijesuar se ky ishte momenti i fundit. Këta liderë politikë kanë dështuar në kalkulimet e tyre politike. Në fund nuk patën sukses dhe faktikisht dështuan të gjithë, si pozita ashtu edhe opozita”, deklaroi Baraliu.
Ai shtoi se reagimi i qytetarëve në procesin zgjedhor ishte një mesazh i qartë për klasën politike, duke thënë se votuesit ua kanë treguar pakënaqësinë dhe i kanë ndëshkuar përmes votës së tyre.