Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Dosja e PSRK-së përshkruan takimin e Radoiçiqit e Aleksandar Vuçiqit në Rashkë

Gazeta10
11 June 2026 - 8:12

Në dosjen e Prokurorisë Speciale ndaj gjashtë të akuzuarve për barrikadat më 2022 në Komunën e Zveçanit, thuhet se më 28 dhjetor 2022, gjatë takimit në Rashkë të Serbisë në prezencë të Milan Radoiçiq, ish-kryetarëve të komunave veriore dhe ish-policëve të dorëhequr, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiqi u kishte kërkuar largimin e barrikadave pas lirimit të Dejan Pantiqit.

Aktakuza e PSRK-së ngarkon gjashtë të akuzuarit: Dushan Maksimoviq, Milosh Radosavljeviq, Nemanja Joloviq, Dushan Dobrac, Sërgjan Vuniçiq dhe Nenad Orloviq për vepra penale kundër rendit kushtetues- saktësisht barrikadimin e rrugëve më 2022 në Komunën e Zveçanit. Aktakuza thotë se grupi kriminal u udhëhoq nga Milan Radoiçiq, i cili deri tash është i paarritshëm për drejtësinë, andaj janë pezulluar hetimet ndaj tij për këtë rast, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Me datë 28.12.2022 në Rashk -Serbi, i pandehuri Millan Radoiçiç, udhëheqës dhe zyrtar nga Lista Serbe, ish kryetarët e komunave veriore dhe ish policët e dorëhequr, kanë mbajtur një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç ku ky i fundit, u ka kërkuar që t’i heqin barrikadat brenda 48 orëve, pas lirimit të të arrestuarit Dejan PANTIÇ nga masa e paraburgimit”, thuhet në dosjen e plotë të Prokurorisë që “Betimi për Drejtësi” e ka siguruar.

Sipas aktakuzës thuhet se barrikadat ishin hequr nga vetë personat një ditë pas takimit me Vuçiq në Rashkë të Serbisë. Aty thuhet se ishin gjithsej 16 barrikada.

Me date 29.12.2022 shumica e barrikadave nga vet personat që i kanë vendosur kanë filluar t’i heqin, gjatë heqjes janë parë persona të maskuar që janë marr me tërheqjen e makinerive që kanë qenë të vendosura në barrikada, ndërsa barrikada mbi urën te “Kërrshi i Dudës” me datë 03.01.2023 është tërhequr nga KFOR- i ndërsa, barrikada në rrugën e Zhazhës në Zveçan po ashtu është hequr nga KFOR-i me datë 05.01.2023” thuhet në këtë aktakuzë.

Më tej, sipas aktakuzës, me urdhra të Radoiçiqit, qytetarë serbë kishin ndërmarrë veprime kriminale kundër vendimeve të organeve kompetente të Republikës së Kosovës, me qëllim që në veri të krijojnë trazira për ta cenuar tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës dhe të cenojnë rendin Kushtetues të Republikës së Kosovës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, thuhet se personat e angazhuar në sigurimin e barrikadave, përveç ish-zyrtarëve policorë, kanë qenë edhe anëtarët e formacionit ilegal, të ashtuquajtur “Mbrojtja Civile” (tani të shpallur nga Qeveria e Republikës së Kosovë organizatë terroriste),

Sipas aktakuzës, prezenca e personave të maskuar dhe armatosur në veri, ishte konfirmuar edhe nga EULEX.

Prezenca e personave të maskuar dhe armatosur në veri të vendit, por edhe në barrikada është konfirmuar edhe nga ana e EULEX-it, të cilët kanë ngritur shqetësimin e prezencës së personave të maskuar dhe armatosur. Këto deklarime EULEX, i bëri pas sulmit me “shock bombë” ndaj një patrulle të EULEX me datë 10/12/2022 në Rudare/Zveçan. Përveç sulmeve dhe të shtënave me armë zjarri, në barrikada janë raportuar edhe sulme fizike ndaj gazetarëve dhe qytetarëve” thuhet në aktkauzë.

Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.