
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar sot pesë persona të dyshuar për përfshirje në Masakrën e Reçakut, e cila ndodhi më 15 janar 1999.
Megjithëse në dhjetor të vitit të kaluar ishte ngritur një aktakuzë lidhur me këtë rast, Prokuroria Speciale ka vazhduar hetimet, duke arritur që brenda gjashtë muajve të identifikojë edhe pesë persona të tjerë të dyshuar për pjesëmarrje në krimin e luftës.
Detaje rreth aksionit ka dhënë prokurori Ilir Morina në një konferencë për media. Ai bëri të ditur se hetimet e vazhdueshme kanë çuar në identifikimin e të arrestuarve, për të cilët ekzistojnë dyshime të bazuara se kanë qenë pjesë e njësive të veçanta të policisë serbe dhe kanë marrë pjesë në operacionin që përfundoi me Masakrën e Reçakut.
“Hetimet që i kemi vazhduar gjatë këtyre muajve kemi arritur t’i identifikojmë edhe disa persona që kanë qenë pjesë e njësive të veçanta të policisë së Serbisë asokohe, të cilët kanë qenë pjesë e aksionit më 15 janar në Reçak”, deklaroi Morina para gazetarëve.