Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Oda e Avokatëve dënon shpërthimin tek shtëpia e avokatit Betim Kadollit: Goditje ndaj drejtësisë dhe shtetit ligjor

Gazeta10
16 June 2026 - 20:28

Oda e Avokatëve të Kosovës ka dënuar ashpër hedhjen e një mjeti shpërthyes në drejtim të shtëpisë së avokatit Betim Kadolli, duke e cilësuar këtë veprim si një akt të rëndë kriminal që nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë.

Në reagimin e saj, Oda thekson se terrorizimi i një familjeje në mes të natës, duke rrezikuar gra, burra dhe fëmijë, përbën një shprehje të ligësisë dhe përbuzjes ndaj rendit juridik.

Sipas OAK-ut, çdo përpjekje për të frikësuar një avokat përmes dhunës është sulm jo vetëm ndaj individit, por edhe ndaj të drejtës kushtetuese për mbrojtje dhe ndaj vetë sistemit të drejtësisë.

“Çdo sulm ndaj një avokati për shkak të profesionit që ushtron është sulm ndaj të drejtës për mbrojtje, ndaj një profesioni të lirë e të pavarur dhe ndaj vetë drejtësisë”, thuhet në reagim.

Oda e Avokatëve ka kërkuar nga organet kompetente që autorët, por edhe çdo person që mund të ketë nxitur, organizuar apo mbështetur këtë akt, të identifikohen dhe të përballen me ligjin.

Në fund të reagimit, OAK ka shprehur solidaritet me avokatin Betim Kadolli dhe familjen e tij, duke theksuar se shteti vihet në provë pikërisht në raste të tilla dhe se heshtja përballë dhunës nuk është maturi, por dorëzim.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.