Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

“VV duhet të lëshojë pe”, Kastrati për gazin amerikan

Gazeta10
17 June 2026 - 19:04

Avokati Emrush Kastrati ka deklaruar në emisionin “Gazeta” se Kosova duhet ta mbështesë projektin e gazit amerikan, duke e cilësuar atë si një çështje me rëndësi strategjike dhe gjeopolitike për vendin.

Sipas tij, nëse realizimi i këtij projekti kërkon mirëkuptim politik, atëherë edhe Lëvizja Vetëvendosje duhet të tregojë gatishmëri për kompromis.

“Duhet të lëshohet pe. Nëse është pozitive të kalojë kjo çështje, atëherë duhet të ketë mirëkuptim. Është mirë të jemi pjesë e këtij projekti sepse ka të bëjë me orientimin strategjik dhe gjeopolitik të Kosovës”, tha Kastrati.

Ai theksoi se Kosova duhet të vazhdojë rrugën e saj drejt Perëndimit, duke argumentuar se zhvillimi demokratik, ekonomik dhe institucional i vendit është i lidhur ngushtë me partneritetin me shtetet perëndimore.

“Nëse ndonjëherë kemi pasur rastin të jemi rreshtuar me Perëndimin, duhet të vazhdojmë me Perëndimin. Duhet të rreshtohemi me të gjitha kapacitetet tona ekonomike dhe politike në këtë drejtim”, u shpreh ai.

Kastrati shtoi se nuk sheh kundërshtime serioze ndaj projektit të gazit amerikan dhe se mbështetja për të duhet të jetë e natyrshme, përderisa nuk ka argumente bindëse se ai mund të jetë i dëmshëm për ekonominë e vendit.

“Është joreale dhe jobindëse të kundërshtohet një projekt amerikan, përderisa askush nuk dëshmon se ai është i dëmshëm për ekonominë e Kosovës”, përfundoi Kastrati.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.