
Avokati Emrush Kastrati, i ftuar në emisionin “Gazeta”, ka deklaruar se vendi mund të përballet me zgjedhje të reja në vjeshtë në rast se subjektet politike nuk arrijnë marrëveshje për formimin e institucioneve.
Sipas Kastratit, zvarritja e procesit mund të bëjë që kriza politike të vazhdojë deri në fund të vitit.
“Përkthyer në kohë, mund të ndodhë që të na zërë edhe Viti i Ri në këtë drejtim, që i bie të shkojmë sërish në zgjedhje. Me gjasa, nëse nuk ka kompromis të subjekteve politike për formimin e institucioneve, do të shkojmë prapë në zgjedhje, ndoshta në vjeshtë”, tha ai.
Kastrati theksoi se partitë politike nuk duhet t’i shohin numrat në Kuvend vetëm në mënyrë strikte, duke u fokusuar te një ose dy deputetë, por të punojnë për një marrëveshje që do të mundësonte krijimin e institucioneve funksionale.
Ai shtoi se tashmë raportet numerike në Kuvend janë të njohura dhe se subjektet politike duhet të bashkëpunojnë sa më shpejt që është e mundur, pa pritur procesin e certifikimit, në mënyrë që të shmanget një bllokadë e gjatë institucionale.