
Projeksioni i analistit politik Bleron Baraliu po cilësohet si një nga parashikimet më të afërta me rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit.
I ftuar në emisionin “Politiko”, Baraliu shpjegoi se si arriti të ndërtojë një projeksion që, sipas vlerësimeve pas zgjedhjeve, iu afrua më shumë rezultatit përfundimtar.
“Po e thjeshtesoj. Nëse, për shembull, 60% e votuesve që kanë thënë se e kanë votuar Vetëvendosjen në zgjedhjet e kaluara deklarojnë se do ta votojnë sërish, atëherë shtrohet pyetja se ku shpërndahet pjesa tjetër e votës. Në varësi të kësaj mund të bëhet një lloj orientimi fillestar”, tha Baraliu.
Ai theksoi se analiza e tij është mbështetur në lëvizjet e elektoratit nga një palë zgjedhje në tjetrën, duke shtuar se për këtë arsye kishte vlerësuar se Lëvizja Vetëvendosje do ta niste garën me rreth 43 për qind të mbështetjes, bazuar në analizën e rezultateve të 28 dhjetorit.
Një tjetër faktor që, sipas tij, ka ndikuar në projeksion ka qenë edhe pesha e votës së diasporës.
“Nëse në zgjedhjet e 28 dhjetorit diaspora ka pasur efekt 6%, në këto zgjedhje parashikimi ka qenë të jetë rreth 3%”, deklaroi ai.