
Bashkimi i Vjosa Osmanit me LDK-në siç duket ka krijuar përçarje tek disa akterë të këtij subjekti politik. Rrezarta Krasniqi, kandidate për deputete nga LDK’ja, ka vlerësuar se ky bashkim krijoi ndarje në terren.
Krasniqi me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka thënë se reforma duhet të fillojë nga lart, duke aluduar në ndryshim të lidershipit të LDK’së.
“Në politikë nuk matesh me fotografi, me duartrokitje e as me rreth shokësh. Në politikë matesh me votë. Dhe kur vota nuk e konfirmon premtimin, atëherë duhet përgjegjësi. Reforma nuk fillon nga poshtë. Reforma fillon nga lart”, ka thënë Krasniqi.
“Nuk mund të jesh njëkohësisht edhe rugovist edhe argat deri para disa muajsh i atyre që e shajtën ndër vite”, ka thënë Krasniqi.
“Nuk mund të qëndrosh në LDK me identitet të paqartë deri dje e sot të kërkosh besnikëri pa kushte”, vijon shkrimi i saj.
Ajo ka bërë thirrje për ndryshime rrënjësore në LDK.
“Të gjithë bashkë të fillojmë punën për ndryshime rrënjësore për një LDK më të fuqishme, të përbashkuar rreth vizionit dhe jo interesave personale, sepse vetëm një LDK e fortë i ofron Kosovës stabilitet dhe të ardhme të sigurtë”.