Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Aksioni i madh kundër drogës – Policia me detaje: Kapen 60 kilogramë marihuanë, arrestohen edhe shtetas të huaj

Gazeta10
18 June 2026 - 17:30

Një aksion i përbashkët i Policisë së Kosovës, Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka rezultuar me sekuestrimin e rreth 60 kilogramëve substancë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë dhe arrestimin e katër personave të dyshuar.

Sipas njoftimit të autoriteteve, aksioni është zhvilluar pas hetimeve disa mujore dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore, në dy lokacione në Komunën e Prishtinës dhe në fshatin Babush të Komunës së Ferizajt.

Lidhur me rastin janë arrestuar katër persona, përkatësisht një shtetas i Republikës së Kosovës, dy shtetas të Republikës së Serbisë dhe një shtetas i Republikës së Shqipërisë.

Me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Gjatë operacionit policor janë sekuestruar rreth 60 kilogramë substancë narkotike e dyshuar e llojit marihuanë, dy automjete dhe një kamion që dyshohet se janë përdorur në aktivitetet kriminale.

Autoritetet kanë bërë të ditur se Prokurori i Shtetit, brenda afateve ligjore, do të paraqesë kërkesë për caktimin e masave për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurën penale.

Policia e Kosovës ka theksuar se në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë do të vazhdojë angazhimin në luftimin e krimit të organizuar dhe trafikimit të narkotikëve, me synim forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të personave të përfshirë në veprimtari të kundërligjshme.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.