Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Aktakuzë ndaj ish-kryeshefit të KRM “Pastrimi” dhe një koordinatori për keqpërdorim detyre e ushtrim ndikimi

Gazeta10
19 June 2026 - 14:20

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, të identifikuar me inicialet B.K. dhe N.Rr., nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Ushtrimi i ndikimit”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri B.K., në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”, gjatë viteve 2020 dhe 2021 dyshohet se ka tejkaluar kompetencat e tij duke mos respektuar procedurat ligjore të punësimit.

Ai akuzohet se ka nënshkruar 89 kontrata pune, prej tyre 37 me afat të caktuar, pa shpallur konkurs publik dhe në kundërshtim me Ligjin e Punës. Sipas aktakuzës, personat e angazhuar kanë mbuluar pozita të rregullta pune, ndërsa janë bërë edhe avancime pa respektimin e procedurave ligjore.

Prokuroria vlerëson se me këto veprime i është shkaktuar dëm ndërmarrjes në vlerë prej 114,535.06 euro.

Ndërkaq, i pandehuri N.Rr., në cilësinë e koordinatorit në KRM “Pastrimi”, dyshohet se gjatë marsit të vitit 2021 ka kërkuar dhe pranuar 1,500 euro nga disa persona, duke u premtuar se do të ndikonte te kryeshefi ekzekutiv për punësimin e tyre në kompani.

Sipas Prokurorisë, ai ka vepruar me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror përmes ushtrimit të ndikimit në vendimmarrje.

Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të dy të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas legjislacionit në fuqi.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.