
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, mori pjesë në CEF Forum 2026, të mbajtur në Shkup, nën temën “Qeverisja në pasiguri dhe ndërtimi i institucioneve publike të qëndrueshme”.
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se forumi mblodhi së bashku politikëbërës të nivelit të lartë, drejtues të administratës publike, përfaqësues të bankave qendrore dhe ekspertë ndërkombëtarë, për të diskutuar mbi lidershipin, qëndrueshmërinë institucionale dhe qeverisjen efektive në një mjedis gjithnjë e më kompleks dhe të pasigurt.

Para Forumit, Guvernatori Ismaili mori pjesë, në cilësinë e vëzhguesit, në Takimin Vjetor të Bordit Drejtues të Qendrës së Ekselencës në Financa (CEF), ku u diskutuan prioritetet institucionale, iniciativat në zhvillim dhe drejtimet e ardhshme për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe zhvillimit të kapaciteteve.
Në kuadër të Forumit, Guvernatori Ismaili mori pjesë si panelist në sesionin “Qeverisja në pasiguri: zgjedhjet e lidershipit nën presion”, krahas përfaqësuesve të lartë të bankave qendrore dhe institucioneve publike nga rajoni. Diskutimi në panel u fokusua në lidershipin nën presion, qëndrueshmërinë institucionale, balancimin e politikave, koordinimin dhe vendimmarrjen në kohë pasigurie.

Në fjalën e tij, Guvernatori Ismaili theksoi se pasiguria është bërë tipar përcaktues i mjedisit të sotëm të politikëbërjes, duke kërkuar nga institucionet forcimin e kapaciteteve për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive sfidave ekonomike, financiare, teknologjike dhe gjeopolitike në zhvillim.
Ai nënvizoi se qëndrueshmëria institucionale ndërtohet mbi qeverisjen e mirë, ekspertizën profesionale, koordinimin efektiv, mësimin e vazhdueshëm dhe lidershipin strategjik. Guvernatori Ismaili gjithashtu theksoi se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve është gjithnjë e më i rëndësishëm për adresimin e sfidave komplekse që tejkalojnë mandatet dhe sektorët individualë.
Duke reflektuar mbi përvojën e lidershipit në kohë pasigurie, Guvernatori Ismaili theksoi rëndësinë e vendimmarrjes në kohë, komunikimit transparent, përshtatshmërisë dhe besimit si elemente thelbësore për ruajtjen e kredibilitetit institucional dhe besimit publik. Ai vuri në dukje se institucionet e qëndrueshme ndërtohen përmes investimit afatgjatë në njerëz, dije, kapacitete digjitale dhe kulturë organizative.

Guvernatori Ismaili gjithashtu theksoi rëndësinë e zhvillimit të kapaciteteve, programeve për lidership, bashkëpunimit ndërinstitucional, shkëmbimit të njohurive dhe ushtrimeve të bazuara në skenarë krizash, si mjete praktike për forcimin e përgatitjes dhe qëndrueshmërisë institucionale.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për forcimin e qëndrueshmërisë institucionale, promovimin e praktikave te mira te qeverisjes, mbështetjen e zhvillimit të kapaciteteve dhe kontributin në bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar, në mbështetje të stabilitetit të qëndrueshëm ekonomik dhe financiar.