
Përplasjet e brendshme në Lidhjes Demokratike të Kosovës po vazhdojnë të thellohen, pasi dy degë të partisë, ajo në Pejë dhe Lipjan, kanë kërkuar dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku nga posti drejtues i partisë.
Pas këtyre zhvillimeve, Abdixhiku ka reaguar ashpër ndaj kritikëve brenda subjektit, duke i cilësuar ata si “sabotues” dhe duke deklaruar se pret dorëheqjen e tyre nga strukturat e partisë.
Ndërkohë, analisti politik Ilir Deda ka paralajmëruar se pakënaqësitë brenda LDK-së mund të shtrihen edhe në degë të tjera. Në emisionin Politiko, Deda tha se situata aktuale duket si rezultat i një akumulimi të gjatë të pakënaqësive brenda partisë.
“Fundin politik Lumirit nuk ia dëshiroj, por është koha që të bëjë një hap mbrapa. Kjo që po ndodh në LDK duket si akumulim i pakënaqësive për një kohë të gjatë. Tash doli Peja me Lipjanin, por pritet të dalë edhe dega e dytë e Prishtinës. Disa miq në LDK po më thonë se ka edhe të tjera”, u shpreh Deda.