
Gazetari Fidan Rama ka komentuar reagimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ndaj kritikave dhe kërkesave për dorëheqje që kanë ardhur nga disa degë të partisë.
Duke folur në emisionin Politiko, Rama tha se Abdixhiku duhet të tregojë pjekuri politike dhe të marrë përgjegjësi për rezultatin e partisë.
“Abdixhiku duhet të tregojë pjekuri politike. Nuk e shoh këtë si fund të karrierës së tij politike, por marrja e përgjegjësisë përmes dorëheqjes është një akt që do t’i mundësonte LDK-së të hapej dhe të mos shkonte drejt ndarjeve të mëtejshme”, tha Rama.
Ai kritikoi gjithashtu tonin e reagimit të fundit të Abdixhikut, duke e cilësuar atë si të ashpër dhe si një shenjë se beteja për udhëheqjen e partisë tashmë ka hyrë në një fazë të re.
“Ky status më duket shumë i ashpër dhe është beteja zyrtare e Lumirit, i cili me gjasë po sillet si një Sali Berisha i ri që nuk dorëzohet”, u shpreh Rama.