
Kryetari i Degës së Dytë të LDK-së në Prishtinë, Florian Dushi, ka konfirmuar se kjo degë ka kërkuar reflektim nga lidershipi i partisë pas analizës së rezultateve zgjedhore.
Dushi për Politiko tha se procesi i analizimit të rezultateve është normal dhe po zhvillohet në të gjitha strukturat e LDK-së.
“Konsideroj që është proces normal i analizimit të rezultateve zgjedhore të LDK-së, prandaj degët po i bëjnë këto analiza. Ne e kemi pasur sonte një analizë të rezultatit të Degës së Dytë. Megjithatë, nga diskutimet që i kemi pasur, kemi vlerësuar se hapja e proceseve demokratike në LDK do t’i mundësonte partisë të ecë përpara dhe është kërkuar që lidershipi të reflektojë dhe të japë dorëheqje. Në Degën e Dytë kjo është bërë në mënyrë unanime”, deklaroi Dushi.
Ai shtoi se edhe degët e tjera të partisë pritet të zhvillojnë analizat e tyre në ditët në vijim.
“Degët e tjera besoj se do të kenë kohë t’i analizojnë rezultatet. Nuk ka ndonjë datë të caktuar për këto procese”, tha ai.
I pyetur për reagimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ndaj kritikëve brenda partisë, Dushi u përgjigj shkurt: “Humbësi ka fjalë”.