
Raporti: Blend Aliu/Kanal10
Dokumentari “Mendo si verifikues faktesh”, i realizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në bashkëpunim me Ambasadën amerikane në Kosovë, ka trajtuar nevojën e edukimit medial. Njohës të fushës nga SHBA-ja thonë se është i domosdoshëm edukimi i audiencës për të ndihmuar në dallimin e lajmeve nga dezinformimi, keqinformimi dhe propaganda, shkruan Kanal10.
Për shkak të pluralitetit të madh të medieve në Kosovë, shpeshherë audienca përballet me lajme propaganduese, të cilat janë vështirë të verifikueshme.
E për të bërë dallimin mes lajmeve të vërteta e atyre të paraqitura si dezinformata zgjidhja e vetme mbetet edukimi medial.
Kështu kanë vlerësuar njohës të ndryshëm në dokumentarin e realizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane në Kosovë.
Graham Brookie nga Këshilli Amerikan edukimin medial e sheh si faktorë të rëndësishëm për një shoqëri të lirë e të hapur.
“Edukimi mediatik është detyrë qytetare. Është gjëja që mbron shoqërinë tonë, gjëja që e mban shoqërinë të lirë dhe të hapur, mundësitë që kemi e që shkojnë së bashku me këtë, punë të mira, llogaridhënie dhe sistem shëndetësor, të gjitha këto – e gjitha varet nga ne, nëse duam të kemi një grup të përbashkët faktesh dhe mënyra kryesore se si ne e arrijmë këtë, pra institucioni kryesor që e bën këtë gjë- është media e pavarur dhe mënyra se si ne i mbajmë mediat të pavarura është duke pasur një popullatë/komunitete që e vlerësojnë median e pavarur”, tha Graham Brookie – DFRLab, Këshilli Amerikan.
Ndërkaq Nicholas Cull nga Universiteti i Kalifornisë Jugore edukimin medial e vlerëson si një mundësi të mirë për të ulur ndikimin e propagandës.
“Mendoj se është shumë e rëndësishme të zhvillohet edukimi mediatik. Mendoj se duke arsimuar popullatën në lidhje me edukimin mediatik, zbehim ndikimin e propagandës. Ne e dimë se kjo nuk e zgjidh problemin në tërësi, sepse ekziston ky fenomeni që ne e quajmë “efekti i personit të dytë” e që është ajo që kur ju i shpjegoni dikujt fuqinë e propagandës ose reklamës apo diçkaje të tillë, ata shqetësohen për mënyrën se si do të ndikohet fqinji i tyre, më shumë sesa për mënyrën se si do të ndikohen ata vetë, por është e qartë që kjo i përmirëson pak gjërat dhe mund ta zbehë fuqinë e mediave malinje dhe mendoj se e zvogëlon çrregullimin që vjen veçanërisht nga një media e re”, tha Nicholas J. Cull – Universiteti i Kalifornisë Jugore.
Drejtoresha e lartë e NDI në Kosovë, Nancy Soderberg, thotë se pa edukim mediatik, demokracia e Kosovës vështirë se do të funksiononte .
“Ne kemi një bashkëpunim të ngushtë me AGK-në këtu në Kosovë, po punojmë me partitë politike, me parlamentin, duke u munduar të sigurohemi që të gjithë të kuptojnë rëndësinë e verifikimit të fakteve. Është sfidë globale dhe Kosova është më e digjitalizuar se vendet e tjera, por ajo ende përballet me të njëjtat sfida, kështu që veçanërisht në të gjithë rajonin ne përballemi me shumë dezinformata kineze dhe veçanërisht ruse që vijnë direkt nga Moska në tregun e këtushëm”, tha Nancy Soderberg – Drejtoreshë e lartë e NDI Kosovë.
Në Kosovë, informacionet jo të vërteta hasen shpesh gjatë kohës së zgjedhjeve, pandemisë, krizave të ndryshme e ngjarjeve të jashtëzakonshme.